DEKLARATË- KËRKESË E PËRBASHKËT!

DIASPORA PËR SHQIPËRINË E LIRË -FEDERATA PAN SHQIPTARE E AMERIKËS VATRA -MBROJ DEMOKRACINË

Diaspora për Shqipërine e Lirë”, “Vatra” dhe “Mbroj Demokracinë” nuk mendojnë se këte duhet ta përcaktojë *qeveria*, por akademikët e pavarur, ndërgjegjia e një kombi, memoria e të mbijetuarëve dhe ajo kolektive!

Nën mjegullën e krijuar nga pandemia e Covid-19, mes emergjencash mjekësore e sociale që kërkojnë zgjidhje të shpejta, Kuvendi i Shqipërise, më 22 Tetor 2020, ka gjetur kohën të miratojë disa ndryshime në #ligjin Nr. 10242, “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizimit në Shqipëri-ISKK”, të cilat e #kufizojnë objektin dhe periudhën e hulumtimit shkencor të krimeve të komunizimit nga ISKK, nga 29.11.1944 deri në 08.12.1990.

Kjo nismë politike, e ndërmarrë nga një grup deputetësh që nuk kanë asnjë lidhje me qarqet shkencore, është një ndërhyrje flagrante dhe goditje e ulët që i bëhet jo vetëm punës së pavarur të akademikëve, por edhe aspiratës së shoqërisë shqiptare për drejtësi për viktimat e komunizmit.

Shohim përditë një turravrap të çuditshëm për mbulimin e historisë dhe për të mpirë kujtesën kolektive: teatro shëmben, kulla sahatesh mbulohen nga babëzia për fitim, akademikëve u kufizohet puna shkencore për interesa të pastra politike. Manipulimi e mbulimi i historisë duhet të marrë fund. Po ashtu edhe ndërhyrja brutale dhe antikushtetuese e politikës në kërkimet akademike.
Një popull pa kujtesë është një popull që rrezikon të mbetet pa të ardhme.

Prandaj “Diaspora për Shqipërine e Lirë”, “Vatra” dhe “Mbroj Demokracinë”, janë berë së bashku këto ditë për të ngritur zërin kundër këtij fenomeni të shëmtuar, aspak të denjë për një shoqëri që aspiron #drejtësi dhe demokraci.

Ne do të kërkojmë e do të lobojmë me forcë mosdekretimin e këtyre ndryshimeve nga Presidenti i Republikës dhe tërheqjen e Kuvendit të Shqipërise nga ky ligj që na çon prapa, në kohët e errëta të historisë sonë.

Ju ftojmë të lexoni deklaratën tonë më poshtë duke i bërë thirrje shoqërisë civile dhe qytetarëve të ndershëm të na mbështesin në këte nismë:

Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10242, datë 25.2.2010 “Për Institutin e
Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri” (ISKK)
Në seancën e datës 22 Tetor 2020, në një lëvizje të pa-precedent, Kuvendi I Shqipërisë, vendosi të limitojë me ligj aktivitetin hulumtues të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri (ISKK), si më poshtë:
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë Vendosi: Ne ligjin nr. 10242, date 25.2.2010 “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizimit në Shqipëri”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime: Në nenin 3, shkronja a), bëhet ndryshimi si më poshtë: “Periudha e komunizmit”është periudha e historisë së Shqipërisë nga 29 nëntori 1944 deri më 8 dhjetor 1990.”

Ky ndryshim është një goditje e rëndë që I bëhet punës së ISKK. Kjo manovër është sa anti-ligjore aq edhe anti-historike, është një tentativë e qartë e politikës për të limituar studimet dhe hulumtimet e nevojshme duke ju kundërvënë qartazi parimeve të kërkimit shkencor dhe përpjekjeve për zbardhje të së vërtetave historike!

Ky ndalim është antiligjor sepse bie ndesh me ligjin nr. 7514 datë 30.9.1991 “Për pafajësinë,amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve politikë” (ndryshuar në vitin 1993) ku në nenin 7/a thuhet qartësisht se krimet komuniste për të cilat trajtohen dhe reahabilitohen të përndjekurit fillojnë që më 1.8.1943. Gjithashtu ky ndalim bie ndesh me objektin dhe qëllimin për të cilin është krijuar ISKK me Ligjin aktual nr. 10242 datë 25.2.2010. Dihet gjerësisht se krimet e komunizmit në regjimin komunist (1945-1991) ishin rrjedhojë dhe vazhdimësi e pandarë e krimeve të komunizmit në vitet 1943-1944. Mohimi arbitrar me ligj I kësaj periudhe përbën një akt të pra-precedent dhe minues ndaj pëpjekjeve për zbardhjen e së vërtetës së hidhur komuniste shqiptare.

Kufizimi në kohë i studimit të pasojave të komunizmit është një praktike arbitrare e cila nuk ekziston në asnjë institucion homolog me ISKK në Europë dhe më gjerë. Me këtë kufizim synohet të lihet në hije aktiviteti i disa figurave të errëta komuniste të cilët dyshohet se patën rol kryesor në një seri krimesh kundrejt rrymave anti-komuniste para vitit 1945. Shembuj konkretë të këtyre masakrave janë:

21 tetor 1943 – Ngjarja e njohur si masakra e Myzeqesë ku u vranë mbi 80 nacionaliste

4 nentor 1943 – Lufta e Gjormit – Vrasja e dhjetëra partizanëve dhe
nacionalistëve si dhe djegia e së paku 230 shtëpive në zone e Gjormit – Lepenices

Raste si të mësipërmet janë të shumta dhe kanë nevojë për studim serioz dhe të thelluar.Tentativat e manipulimit të historisë dhe shmangies së konceptit të luftës civile, nga e cila erdhën në pushtet partizanët komunistë, nxjerrin në pah qëllimet e mbrapshta të kësaj nisme ligjore. Mundimi për të zhdukur nëpërmjet harresës fakte të kësaj periudhe kaq vendimtare, nuk i shërben refleksionit historik mbi motivet që cuan në atë konflikt civil. Pikërisht për këtë mungesë refleksioni ky konflikt është ende kaq i gjallë në shoqeri dhe në politikë.

Diaspora Për Shqipërinë e Lirë, Vatra dhe Mbroj Demokracinë i konsiderojnë këto ndryshime si thellësisht politike të cilat dëmtojnë jo vetëm punën kërkimore të institucionit por edhe moralin shoqëror në tërësi. Për rrjedhojë, ne do të ndjekim të gjitha hapat institucionale dhe ligjore për anullimin e këtyre amendimeve, duke përfshirë:

Lobimin e fuqishëm kundër amendimeve të mësipërme dhe denoncimin e tendencave të qeverisë shqiptare për të lënë në hije të kaluarën komuniste dhe krimet e saj. Do të dërgohen shkresa dhe do të kërkohet mbështetje nga:

o Victims of Communism Memorial Foundation – Washington DC, USA
o “Tribute to Liberty” – Ottawa, Kanada
o Platform of European Memory and Conscience – Prague, Czech Republic
o ÖAW, Österreichische Akademie der Wissenschaften – Vienna, Austria

  • Dërgimin e kësaj deklarate dhe kërkesë per për mos-dekretim të këtyre ndryshimeve anti-ligjore Institucionit Të Presidentit të Republikës.
  • Dërgimin e kësaj deklarate dhe kërkesë Institucionit të Kuvendit të Shqipërisë për
    tërheqje nga kjo iniciativë
  • Bërjen me dije të organizmave ndërkombëtare të akredituara në Tiranë, BE dhe USA për rrezikun që paraqesin nisma të tilla në raport me liritë akademike dhe kërkimin shkencor në përgjithësi por edhe në vecanti në raport me një institut të krijuar posacërisht për hulumtimin e krimeve të komunizmit. Reflektimi dhe përballja me të kaluarën lehtëson rrugën drejt së ardhmes!
  • Diaspora Për Shqipërinë e Lirë – Z. Florian Hackaj -Bashkëthemelues Z. Nador Bakalli Anëtar I grupit bërthamë
  • Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA – Kryetar Z. Ahmet Xhafo
  • Mbroj Demokracinë – Mag. Iris Toto Coordinator for Rule of Law, Justice Reform and Fiscality

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *